Luan njërin prej roleve kryesore në “Sirin”, Kosumoviç: Shpresoj të hapë mundësi të bashkëpunimit ndërkombëtar

2 min read

Në njërin prej roleve kryesore të filmit “Sirin” luan aktorja kosovare, Majlinda Kosumoviç, e cila luan krahas aktoreve të njohura evropiane si: Danica Curicic, pastaj ylli i filmit boshnjak, “Qui Vadia Aida”, Jasna Djuricic etj.

Majlinda Kosumoviç për rtv21.tv ka treguar se cila është tematika e filmit “Sirin”, me regji të regjisorit malazez, Senad Shahmanovic.

“Rrëfimi i këtij filmi e shpalos rrugëtimin e Natalie, e cila ka ikur nga ish-Jugosllavia menjëherë pas fillimit të luftërave të viteve 90. Si shumë të tjere, Natalie ka emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kërkim të një jete më të mirë dhe për ta siguruar një të ardhme me premtuese. Pas shumë viteve, ajo ndryshon identitetin e saj duke u munduar të harrojë të kaluarën, por papritmas me një detyrë pune, obligohet të kthehet në vendlindjen e saj.”, ka potencuar aktorja.

Ajo ka treguar se cili ishte roli i saj në film.

“Unë e luaj Valerie, një amerikane, e cila punon në kompaninë e babait të saj. Valerie, bashkë me Natalie nisen në Mal të Zi për të rregulluar një çështje që ka të bëjë me një kontratë të sabotuar.”, ka bërë të ditur Kosumoviç.

E pyetur se si ishte të luante krahas aktoreve të njohura evropiane, Kosumoviç ka deklaruar se gjithmonë është eksperiencë e mirë dhe produktive.

“Jo vetëm në këtë projekt, por edhe në Kosovë kur luaj krahas aktorëve prej të cilëve mësoj dhe rritem profesionalisht.”, ka bërë të ditur ajo.

Artistja ka potencuar se dallime ka në secilin projekt për shkak të shumë faktorëve pavarësisht se ku prodhohen. Sipas saj, dallime ka në mënyrën se si punojnë, “sigurisht për shkak të buxhetit që e posedojnë”.

Majlinda Kosumoviç shpreson që “Sirin” do t’i hapë mundësi të reja të bashkëpunimit në rrafshin ndërkombëtar.

Ajo gjatë intervistës për rtv21.tv ka theksuar se për momentin është në proces të punës për disa filma të metrazhit të gjatë.

“Njëri prej tyre do të realizohet gjatë shtatorit të këtij viti.”, ka shtuar aktorja.

Kujtojmë që, rreth tre muaj më parë kanë përfunduar xhirimet e filmit “Sirin”. Në role të tjera në këtë film luajnë: Fatmir Spahiu, Simon Shkreli, Bashkim Alaj etj.

Premiera e filmit pritet të jepet në fund të vitit.

Ndryshe, filmi “Sirin” është bashkëprodhim i Malit të Zi, Kosovës, Shqipërisë, Bosnjes dhe Kroacisë./21Media