Ministria e Arsimit sqaron çështjen e licencimit të çerdheve private

 

Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ka sqaruar se licencimi i institucioneve Edukativo – Arsimore Parashkollore Private, është kompetencë e saj. Megjithatë, sipas ministrisë është kompetencë e autoriteteve komunale që të lëshojnë vërtetimin mbi plotësimin e kushteve higjienike – sanitare.

Kjo vjen pas raportimeve të djeshme, ku kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, iu përgjigj Asociacionit të institucioneve parashkollore duke thënë se çerdhet private nuk janë në kompetencë të komunës.

Megjithatë, MASH-i thotë se bazuar në legjislacionin në fuqi, procedurat për licencim janë të ndërlidhura edhe me dhënien e pëlqimit të Institucioneve të tjera publike, nga pëlqimi i të cilave varet pajisja me licencë IEAPP-ve nga ana e MASH.

“Marrë parasysh situatën e krijuar me Covid- 19, të gjitha Institucionet publike (përgjegjëse), duhet të kontribuojnë në luftimin e pandemisë, që ndërlidhet pikërisht me përmbushjen e kushteve higjienike-sanitare. Është kompetencë e autoriteteve komunale, sipas Nenit 3, të Udhëzimit Administrativ Nr. 15/2016, që të lëshojnë vërtetimin mbi plotësimin e kushteve higjienike-sanitare. Për deklarimin publik ku thuhet se nuk është kompetencë e komunave të mbikëqyrë dhe kontrollojë kopshtet private si dhe komuna nuk posedon listë të IEAPP-ve, MASH njofton se lista e të gjitha IEAPP-ve të licencuara publikohet faqen zyrtare të MASH dhe e njëjta është e qasshme për publikun dhe palët e interesuara”, thuhet në njoftimin e MASH-it.

Ministria e arsimit tutje ka njoftuar se do të jemi në kontakt që vazhdueshëm me DKA-të që bashkë të analizojnë gjendjen e IEAPP-ve dhe të dakordohen për të zbatuar edhe më tej detyrimet që dalin nga legjislacioni në fuqi./21Media

Back to top button