Osmani: Qasja e Kosovës në institucionet e Këshillit të Evropës është në interes të qytetarëve

Presidentja, Vjosa Osmani në Samitin e krerëve të shteteve të Evropës Juglindore ka folur për rolin e Republikës së Kosovës në ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në rajon, rëndësinë e bashkëpunimit bazuar në parimin e barabarësisë dhe gjithëpërfshirjes, si dhe për nevojën për ta përshpejtuar perspektivën euro-atlantike të Kosovës dhe vendeve të tjera demokratike të rajonit.
Në fjalimin e saj gjatë Samitit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), Osmani ka nënvizuar përparimin e Kosovës në zbatimin e reformave që kanë fuqizuar cilësinë e demokracisë dhe sundimin e ligjit.
Më pas Presidentja është ndalur edhe te agresioni ilegal dhe lufta e paprovokuar e Rusisë kundër Ukrainës dhe ka theksuar se e drejta e kombeve për të ekzistuar dhe për të qenë sovran ndodhet nën kërcënim.
“Përballë agresionit të Putinit kundër Ukrainës, ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm që të mos i hapim dyert çfarëdo ndikimi keqdashës në rajonin tonë”, ka theksuar Osmani.
Më tej, Osmani para krerëve të shteteve pjesëmarrëse ka përsëritur domosdoshmërinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Qasja në institucionet dhe mekanizmat e Këshillit të Evropës, siç është Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, është mbi të gjitha në interes të qytetarëve të Kosovës, të të gjitha përkatësive etnike, fetare apo të tjera. T’i thuash jo anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, është t’i thuash jo të drejtave të njeriut për qytetarët tanë”, ka thënë Osmani.
Në darkën e përbashkët me kancelarin Scholz, Osmani e falënderoi Kancelarin për mbështetjen e madhe të Gjermanisë si dhe qëndrimet e qarta të qeverisë së tij për të ardhmen euro-atlantike të vendit tonë. Në anën tjetër, kancelari Scholz potencoi rëndësinë e përshpejtimit të procesit të anëtarësimit të vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian dhe fuqizimin e Procesit të Berlinit.
Gjatë Samitit të vendeve të Evropës Juglindore, Osmani ka realizuar takime me presidentin e Sllovenisë Borut Pahor dhe kryeministrin e Kroacisë Andrej Plenković. Presidentja Osmani ka falënderuar Slloveninë dhe Kroacinë për mbështetjen e dhënë për integrimin euro-atlantik të Kosovës, ndërkaq ka diskutuar për përkrahjen e këtyre shteteve në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s.
Përgjatë samitit, Osmani po ashtu bashkëbisedoi me kryetarin e Këshillit të BE-së Charles Michel, kryesuesin e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës Šefik Džaferović, kryeministrin e Maqedonisë se Veriut Dimitar Kovačevski dhe kryeministren e Moldavisë Natalia Gavrilița.
Në këto takime, Osmani theksoi nevojën për përshpejtimin e integrimit të shteteve të rajonit në institucionet euro-atlantike dhe fusha të tjera të interesit të përbashkët. /21Media

Back to top button