Peci: Politikat e sektorit të pylltarisë do të bazohen në strategji

Grupi Punues për Hartimin e Strategjisë së Pylltarisë 2021-2030, ka mbajtur sot takimin e fundit për finalizimin e kësaj strategjie, e cila pritet të dërgohet gjatë këtyre ditëve për miratim në Qeverinë e Kosovës.
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka vlerësuar se kjo do ta bëjë të mundur që politikat për avancimin e sektorit të pylltarisë tash e tutje të bazohen në Strategjinë për Pylltari 2021-2030, e cila është hartuar bazuar edhe me Strategjinë e BE-së për Pylltari 2021, si dhe është strukturuar sipas kritereve të dakorduara nga Pyjet e Evropës.
Ai ka thënë se përmes kësaj strategjie, e cila është në vazhdën e harmonizimit me politikat dhe prioritetet e agjendës globale në 50 vjetët e fundit, synojnë t’i adresojnë shqetësimet dhe sfidat me të cilat përballet sektori i pylltarisë në Kosovë.
“Pyjet kanë rëndësi strategjike dhe duhet t’i shqyrtojnë mundësitë e rritjes së vlerës ekonomike, sociale dhe mjedisore duke ngritur kapacitetet e menaxhimit funksional të pyjeve. Rrjedhimisht një menaxhim funksional rritë mundësitë e punësimit, avancon zonat rurale pasi që aplikohet përdorimi shumë-qëllimor i resurseve pyjore. Pylltaria po ashtu duhet parë si sektor, i cili zhvillon dhe fuqizon partneritetin publiko-privat dhe përmes Strategjisë së Pylltarisë 2021-2030 do të krijojmë mekanizma të cilat e mbrojnë sektorin nga prerjet ilegale, zjarret e degradimet e tjera të mundshme”, ka thënë Peci.
Ndryshe, me qëllim të koordinimit ndër-institucional për mbrojtjen dhe ruajtjen e pyjeve, ministri Faton Peci gjatë këtij viti ka themeluar Task-Forcën ndër institucionale, e cila këtë javë do të miratojë rregulloren e saj dhe Planin vjetor të veprimit për parandalimin dhe zvogëlimin e prerjeve ilegale në pyje.

Back to top button