Presidentja përkujton masakrën në Qyshk, Zahaq, Llabjan dhe Pavlan: Drejtësia po vonohet

Presidentja Vjosa Osmani, sot ka përkujtuar 23-vjetorin e Masakrës së Qyshkut, Zahaqit, Llabjanit dhe Pavlanit, në të cilën forcat e regjimit gjenocidal serb kanë vrarë e masakruar barbarisht 44 civilë në Qyshk, 17 në Zahaq, 21 në Pavlan dhe 13 në Llabjan.
Osmani ka theksuar se secili nga të vrarët është pjesë e historisë së Kosovës, e përpjekjes për liri dhe shtet! Derisa ka shtuar se “Sikurse në shumë masakra të tjera edhe në këtë rast drejtësia po vonohet”.
“Synimi i forcave serbe ishte spastrimi etnik i kësaj pjese dhe shfarosja e popullit shqiptar. Sikurse në shumë masakra të tjera edhe në këtë rast drejtësia po vonohet. Vendosja e drejtësisë jo vetëm për këtë rast, por për të gjitha masakrat që u kryen në Kosovë është përkushtim i yni i vazhdueshëm sepse paqja afatgjatë është e mundur vetëm atëherë kur ka drejtësi”, është bërë e ditur në përkujtimin e Presidentes Osmani.
Për këtë përvjetor të maskrës ka reaguar edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili duke kujtuar  krimet makabre të kryera gjatë luftës së fundit në Qyshk, Pavlan, Zahaq dhe Llabjan, e ka përmendur edhe faktin që për raste të tilla mungojnë gjykimet vendimet e aktakuzat. Mirëpo, për rastin konkret ishte ngritur aktakuzë në vitin 2010, mëgjithatë ende asnjë i denuar, bile disa të akuzuar kanë vdekur./21Media

Back to top button