Reagon Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për zhvillimet në FFK

Caktimi i datës 6 prill për mbajtjen e zgjedhjeve për kryetar të Federatës së Futbollit të Kosovës ka nagjallur reagime dhe debate të shumta në opinionin e gjerë sportiv në Kosovë.
Duke parë këtë situatë, të hënën ka reaguar edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e cila ka bërë të ditur se është duke e ndjekur me vëmendje zhvillimin e këtyre ngjarjeve brenda kësaj federate.
“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) po e ndjek me vëmendje rrjedhën e zhvillimeve në Federatën e Futbollit të Kosovës, veçanërisht debatet e fundit rreth respektimit ose jo të normave statutare të FFK-së në raport me procesin zgjedhor. Kredibiliteti, gjithëpërfshirja, respektimi i normave të së drejtës si dhe mundësitë e barabarta në organizata e federata sportive, janë parimet udhëheqëse mbi të cilat Ministria e Sportit ndërton dhe promovon bashkëpunimin me këto federata/organizata”, thuhet në reagimin e MKRS-së.
Më tutje MKRS bën të ditur se është duke u punuar në reformimin e kornizës së politikave publike dhe asaj ligjore në fushën e sportit.
“Ne jemi duke punuar intensivisht në reformimin e kornizës së politikave publike dhe asaj ligjore në fushën e sportit e cila do të ndryshojë rrënjësisht shpërndarjen e resurseve publike dhe përdorimin e masave administrative në funksion të arritjes së qëllimeve e objektivave strategjike të Qeverisë për sportin si nxitës i zhvillimit të qëndrueshëm”.
Në fund, ministria ka bërë thirrje për respektimin e të gjitha normave statutare dhe mbajtjen e një procesi të rregullt zgjedhor në FFK./21Media

Back to top button