​Scholz nuk e ka pagën më të lartë në administratën shtetërore gjermane, gjendet në vendin e 22-të

Të paktën 21 anëtarë të bordit të drejtorëve, drejtues kompanish apo institucionesh të shtetit gjerman kanë një pagë më të lartë se Olaf Scholz, i cili merr rreth 360 mijë euro në vit, sipas një liste të publikuar nga Ministria gjermane e Financave.
I pari në listë është drejtori i përgjithshëm i Hekurudhave Gjermane, Richard Lutz, me pagë vjetore prej 900 mijë eurosh, i ndjekur nga drejtori i përgjithshëm i Shtypshkronjës Shtetërore, Stefan Hofschen, me pagë prej 863 mijë eurosh, që ndër të tjera është përgjegjëse për prodhimin e pasaportave, dokumenteve personale, pullave postare, kartëmonedhave, si dhe pajisje për prodhimin e tyre, raporton DW.
Kjo pasohet nga anëtarët e tjerë të bordit të Hekurudhave Gjermane dhe anëtarët e menaxhmentit të bankës shtetërore zhvillimore KfV, të cilët marrin nga 555.400 deri në 687.600 euro në vit.
Pagat e kryeshefave ekzekutivë të qendrave të ndryshme kërkimore Helmholtz, kontrolli gjerman i trafikut ajror, Autobahn GmbH, operatori i mbledhjes së tarifave Toll Collect dhe agjencisë financiare federale gjermane janë më të larta se paga e një kancelari apo të ngjashme.
Ministria gjermane e Financave publikoi listën vetëm pas disa kërkesave dhe korrespondencës me kreun e grupit parlamentar të Majtë në Bundestag, Jan Korte.
Në korrespondencën e tij me ministrinë, Korte iu drejtua veçanërisht ministrit Christian Lindner (FDP), i cili së fundi tha se asnjë drejtor i shërbimit publik brenda ARD-së nuk duhet të fitojë më shumë se kancelari, kështu që paratë e atyre që paguajnë abonimin e detyrueshëm televiziv duhet të shpenzohen më me kursim.
Sipas Rrjetit Gjerman të Redaktorëve (RND), Korte e ka bërë më parë këtë kërkesë dy herë.
Më në fund, ministria i dërgoi deputetit një listë që tregon pagat e gjithsej 151 anëtarëve të bordeve dhe drejtuesve të kompanive dhe institucioneve të ndryshme të shtetit gjerman.

Back to top button