Shqipëria dënon sulmin e pajustifikueshëm të Rusisë ndaj Ukrainës
“Shqipëria dënon sulmin e pajustifikueshëm të Rusisë ndaj Ukrainës, duke shkelur ligjin ndërkombëtar dhe duke kërcënuar jetën e civilëve të pafajshëm.”, kështu ka deklaruar sot Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i cili i ka bërë thirrje Rusisë që të tërhiqet.
Meta ka theksuar se Shqipëria është me Ukrainën.
“I bëjmë thirrje Rusisë të tërhiqet nga veprimet ushtarake kundër integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës! Shqipëria qëndron me Ukrainën dhe popullin e saj në këtë orë të errët!”, ka shkruar Meta në Facebook.
Edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama sot ka reaguar për sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës. Ai ka shkruar se bashkohen me NATO-n dhe aleatët e BE-së në dënimin e ashpër të agresionit të Rusisë.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke folur në Bruksel, ka dënuar Vladimir Putinin për “kthimin e luftës në Evropë”. Ajo ka njoftuar se një paketë sanksionesh “masive” do të propozohet më vonë në një përpjekje për të dobësuar bazën ekonomike të Rusisë dhe “kapacitetin e saj për t’u modernizuar”.
Vladimir Putin ka njoftuar operacionin ushtarak në Ukrainë në orën 5:55 të mëngjesit me orën e Moskës – dhe minuta më vonë, sipas raporteve, janë lëshuar granatimet dhe raketat e para në Ukrainë.
Shtatë persona raportohet se kanë vdekur nga bombardimet nga forcat ruse./21Media