Tahiri: Kurti nuk mund ta pastrojë ”turpin” e tij me vizita nëpër varrezat e dëshmorëve

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se kryeministri, Albin Kurti nuk mund ta pastrojë ”turpin” ndaj veteranëve me vizitat e tij nëpër varrezat e dëshmorëve. Këto komente Tahiri i dha përmes një postimi në ”Facebook”, me rastin e Ditës së Çlirimit.
”Përgjatë këtyre 23 viteve në liri, dimensioni politik i saj është përmbushur me shtetin tonë sovran, por domethënia e saj vazhdon të mos jetë e plotë, pa protagonistët që i kontribuan kësaj date, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi e bashkëluftëtarë të tjerë, që padrejtësisht edhe sot janë duke u përballur me kapitullin e fundit të çlirimit”, ka shkruar Tahiri.
Ky i fundit ka shtuar tutje se Kurti dhe Qeveria e tij është duke u përpjekur të shkëpusë kujtimin dhe nderimin e kësaj sakrifice.
”Fatkeqësisht, Albin Kurti dhe qeveria e udhëhequr prej tij, me vetëdije të plotë është duke u përpjekur të shkëpusë kujtimin dhe nderimin e kësaj sakrifice. Ai, ka kohë që e ka shpërfillur lavdinë dhe sakrificën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa tash që është në pushtet, këtë shpërfillje është duke e manifestuar edhe zyrtarisht”, ka shkruar tutje Tahiri./21Media

Back to top button